“Ligji i ri për paga përkeqëson situatën buxhetore”

0
37

Vendimi për pezullimin e Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese nuk i zgjidhë pasojat e kostos mjaft të lartë të këtij ligji, i cili përkeqëson situatën buxhetore, si dhe ndalon investimet publike ose fut vendin në borxh publik.

Kështu u tha në debatin “Pagat në sektorin publik në Kosovë dhe implikimet e mundshme në stabilitetin makro-fiskal dhe kohezionin”, të organizuar nga Instituti ‘Riinvest’.

Muhamet Mustafa nga ‘Riinvest’ tha se ligji i ri për paga përkeqëson situatën buxhetore, andaj ka ndikime në trendin e rritjes së borxhit publik që mund të krijojë problemeve në stabilitetin makro-fiskal. Teksa tha se qeveria e re, pikërisht do ta ketë këtë problem të pagave.

“Situata me pagat në sektorin publik është e keqe mbi limitet edhe pa ligjin e ri, ndërsa ligji i ri ka probleme të shumta që nuk ka analiza krahasuese. Ka krijuar kërkesa të pa arsyeshme të rritjes së pagave që është në kundërshtim me rregullat e qeverisjes së mirë”, tha Mustafa, raporton kp.

Alban Hashani, drejtor ekzekutiv në ‘Riinvest’, tha se vendimet për rritje të pagave kanë krijuar dallime të mëdha me pagat e sektorit privat dhe nuk ka bazë për “punë të njëjtë – pagë të ngjashme”.

Hashani tha se mbi 40 për qind është dallimi i pagës mesatare në sektorin publik me atë të sektorit privat. Ai ngriti shqetësimin e tij për pagat e larta të deputetëve të Kosovës. Hashani përmendi edhe statistikat mbi implikimet e këtij ligji për stabilitetin makro- fiskal.

“Ky ligj do të ndikojë në masën e rritjes së pagave gjykuar sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve në vitin 2020 do të rriten midis 5,4 përqind deri 11,2 për qind, e në rastin ekstrem, nëse masa e pagave arrin 730 milionë euro, rritja do të jetë 17,7 për qind në krahasim me vitin paraprak. Kjo do të zvogëlojë hapësirën për rritjen e buxhetit për destinimet e tjera, në veçanti për investimet kapitale, investimet në arsim, shëndetësi dhe rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë”, tha Hashani.

Berat Thaçi nga Instituti GAP, theksoi se rritja e pagave rrezikon rritjen e tatimeve dhe koston e jetës së atyre që janë në shkallën e varfërisë.

Rekomandimi nga debati ishte që Kuvendi dhe Qeveria duhet të vlerësojnë saktë efektet e Ligjit të ri mbi pagat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të evituar ndikimin e tij.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here