Mbledhja e Këshillit të Sigurisë – Kurti, Sveçla dhe shefi i AKI-së arrijnë në Qeveri

0
36

Kanë arritur në Qeverinë e Kosovës kryeministri Albin Kurti, ministri i brendshëm Xhelal Svecla dhe shefi i AKI-së.

Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

“Tash për tash jemi në këtë gjendje sepse të këtillë e kemi vlerësuar dhe sjellja jonë është profesionale e korrekte deri më tani”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se janë ftuar nga faktori ndërkombëtar që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar lidhur me situatën në veri, por, sipas tij, kjo ftesë është refuzuar nga Beogradi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here