Mediumi zviceran: Blejnë vila e harxhojnë para – çfarë do të bënte Kosova pa “schatzit”?

0
22

“Çfarë do të bënte Kosova pa diasporën?”, ky është titulli i mediumit zviceran “Swissinfo.ch”, në të cilin paraqitet rëndësia e bashkatdhetarëve që jetojnë në Zvicër për Kosovën dhe ekonominë e shtetit.

Në këtë reportazh thuhet se brezat e vjetër që punojnë e veprojnë në Zvicër kanë mbështetur të afërmit e tyre në Kosovë për dekada të tëra, megjithatë shtrohet një dilemë nëse një gjë të tillë do ta vazhdojnë edhe brezat e rinj.

Tutje përmendet fakti që Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë, një papunësi të lartë dhe mungesë të investimeve. Ndërkohë specifikohet se qeveria zvicerane ka ndihmuar me një total prej 80 milionë frangave në një periudhë prej 2017 deri në vitin 2020.

Problemi me ruajtjen e identitetit dhe harresa e gjuhës shqipe është një çështje mbi të cilën është vënë theksi në këtë reportazh të mediumit zviceran.

Sipas tyre, shumë të rinj që lindin në Zvicër e që kanë prejardhje nga Kosova nuk flasin shqip dhe ndihen të huaj në Kosovë.  

“Për gjenerata me radhë kosovarët kanë lënë vendin e tyre për të gjetur punë në perëndim. Megjithatë shumë nga ta kanë hasur në vështirësi që të mbajnë të gjallë kulturën e tyre në vende të huaja. Shumë kosovarë të rinj të cilët kanë lindur në Zvicër apo janë zhvendosur shumë të ri  nuk flasin shqip. Ndërkohë  ndjehen si të huaj në shtëpinë e stërgjyshërve”, shkruan “swissinfo.ch.

Reportazhi gjithashtu tregon detaje edhe nga pushimet që diaspora nga Zvicra bënë në Kosovë, dhe efektin ekonomik që ka.

“Kosovarët që jetojnë në Zvicër kthehen në verë për t’u bashkuar me familjet e tyre, dhe me dashuri quhen “Schatzi”. Ata kanë një lidhje të fortë emocionale me atdheun e tyre”, vazhdon tutje shkrimi.

 “Vizitat e tyre gjallërojnë ekonominë lokale në çdo vit për disa muaj, në restorante, qendra tregtare të qyteteve të mëdha që janë të shumta si në Prizren, Prishtinë e Pejë. Me frangat e tyre, ata mund të shkojnë nëpër hotele të shtrenjta”, thuhet tutje.

Përveç kësaj në këtë shkrim thuhet se kosovarët që jetojnë në Zvicër ndihmojnë ekonominë e Kosovës, meqenëse gjatë kohës sa qëndrojnë në vendlindje udhëtojnë shumë për të parë gjitha atraksionet turistike e përmendoret e heronjve të luftës.

“Meqenëse shumë kosovarë udhëtojnë me makinë, pompat e benzinës kanë përfitime të mëdha, pasi që ‘Schatzit”, udhëtojnë nëpër të gjithë vendin për të parë atraksionet turistike, përfshirë edhe përmendoret e heronjve të luftës. Disa blejnë apartamente dhe ndërtojnë edhe vila luksoze”, përfundon shkrimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here