Meritat dhe fajet e Rugovës – Pse populli përkrahi liderin që nuk e donte luftën

0
48

Opinionistët në Pressing, në një debat kushtuar liderit kosovar, Ibrahim Rugova, kanë renditur meritat, fajet dhe gabimet që, sipas tyre, i bartte Rugova në udhëheqjen e tij. Ata pajtohen se Rugova kishte shkuar shumë larg kornizave normale të politikanit dhe se ishte kthyer në një mit, në të cilin kosovarët besonin. Këtë e japin si shpjegim edhe të fitores së zgjedhjeve kundër krahut të luftës, menjëherë pas saj. I japin meritat kryesore për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, ndërsa e fajësojnë për disa prej veprimeve gjatë viteve ’90. Sipas Jusuf Thaçit, politika e pacifiste e Rugovës, në fakt ishte nënshtruese, kundër UÇK-së dhe kundër lëvizjeve e figurave emblematike shqiptare.

Edhe në 16-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, dy anët e peshores mbushen me argumentet pro dhe kundër politikës që ai përfaqësonte dhe veprimtarisë që ai ka kryer, nisur si shkrimtari që, bashkë me kolegë, do ta themelonte Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas Jusuf Thaçit, taborët ndahen aty, e prej saj përcaktohesh pro ose kundër rrymës së Rugovës: Ata, për të cilët jeta dhe mbijetesa është më rëndësishme dhe të tjerët, që lirinë dhe dinjitetin e kanë më të rëndësishëm. Me të parën, ai e portretizon LDK-në dhe Ibrahim Rugovën e vitëve të 90-ta, si dhe mbështetësit e ish-liderit politik të Kosovës.  Ndërsa, vetë thotë se beson te e dyta, prandaj, kritikon shumë Rugovën dhe LDK-në, e i jep fare pak merita.

 “LDK e viteve të 90-ta ishte kundër figurave emblematike, patriotike të sakrificës, duke filluar prej Adem Demaçit, e të burgosurve politikë. Ishte kundër LPK-së. Ishte kundër lëvizjes studentore. Ishte kundër UԅK-së, domethënë, kulmoi. Dhe, megjithëse në mënyrë të heshtur, ishte kundër bashkimit kombëtar”, ka thënë Thaçi.

 “Qasja e LDK-së ka qenë që krejt ky nënshtrim, ky poshtrim [situata në Kosovës gjatë ’90-ave] duhet të pranohet për hir të ruajtjes së qetësisë, jetës e individit”,  thotë Thaci, duke shtuar se “LDK-ja e ka përligjur nënshtrimin”.

Politika pacifiste e Rugovës, Thaçt i duket e papranueshme, ndërsa thotë se nuk është bërë nga padituria, por ishte mashtrim i qytetarëve, që i besonin atij.

 “LDK-ja pretendonte se Kosova do të çlirohej pa luftë. Në rastin më të mirë, kjo ishte naivitet, e unë s’besoj që s’ishte naivitet, por ishte mashtrim kolektiv i krejt qytetarëve të Kosovës”.

“z. Rugova e ka ditur jogatishmërinë e popullit të tij për luftë. Dhe, mospajtimi im është pikërisht këtu. Që, lideri nuk është për t’u pajtuar me masën. Është për ta orientuar masën në drejtimin e duhur”

Studiuesi Shkelzen Gashi thotë se nisja e veprimtarisë politike të Rugovës është mahnitëse.

“Ajo që e ka bërë Rugova, si intelektuar, në vitin ‘88-89 është përnjemend me u mahnitë. Është prej atyre pak njerëzve që ka guxuar të flasë dhe ta kundështojë suprimimin e autonomisë së Kosovës”, Gashi

Gashi thotë se LDK-ja me në krye Rugovën nisi mirë politikat jo të dhunshme, në fund të 80-ave, por më pas shkëputi hallkën dhe dështoi te pjesa e luftës.

Rugova i viteve të ‘90-ta

Si merita të Rugovës, Gashi e sheh shmangien e luftës në fillim të 90-ave, para se të nisnin luftërat mes republikave jugosllave. Meritë tjetër, Rugovës ia njeh ndërkombëtarizimin e çëshjtes së Kosovës.

 “I ka disa merita. Merita e parë është që e ka shmangur konfliktin në Kosovës. Ideja e Serbisë ka qenë që në vitin 1990-1991 me e nis luftën këtu [Kosovë], jo në Bosnjë dhe Hercegovinë. Rugova e ka shmangur këtë”.

“Merita e dytë është se e ka dhënë një kontribut shumë të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Dhe e treta është, krijimi i sistemit në fushën e arsimit, shëndetësisë, të sportit, edhe politik”.

Gashi pajtohet me opinionistin Thaçi se vitet e pak para nisjes së luftës në Kosovë, ishin poshtëruese për shqiptarët.

“Është e vërtetë që deri në vitin ‘96-’97 kur del UÇK-ja në skenë, kemi qenë shumë të poshtëruar. Në periudhën e daljes në skenë të UÇK-së fillon restaurimi i dinjitetit të qytetarëve të Kosovës”, thotë Gashi.

Për gazetarin Dukagjin Gorani merita kryesore e Rugovës është orientimi i kosovarëve kah politika perëndimore, që deri atëherë, sipas Goranit, ishte i mjegull, e në fakt nuk ekzistonte fare. Ai e sheh periudhën e Rugovës si pikënisje e aleancave me Perëndimin.

“Dalja e Rugovës e shënon një send të rëndësishëm, që ne sot e marrim ngapak të mirëqenë, por në atë kohë ka qenë i paimagjinueshëm; e ai është, rreshtimi properëndimor i shoqërisë sonë”, ka thënë Gorani.

“Në atë kohë, ky vend ka qenë totalisht i shkëputur, i parëndësishëm, zorrë qorre e një ish-federate, që s’kishte kurrëfar kontakti me botën, përvec nëse ishe pjesë e ndonjë emigracioni të caktuar, i cili, po ashtu, emigracioni politik kosovar, nuk ka qenë properëndimor. Kështu që, këtë duhet me e kuptu si një nga meritat e rëndëisishme, e cila përgjatë kësaj kohe fillon me u personifiku me Ibrahim Rugovën; kthimi nga një forcë politike, të cilës ne 10 vjet më vonë ia shohim hairin”, thotë gazetari.

Se Rugova e ka bërë të njohur çështjen e Kosovës ndërkombëtarisht, thotë edhe filozofi Blerim Latifi. Por, ai nuk

“LDK dhe Ibrahim Rugova hyjnë në politikën e krijimit të miqve. Me bind botën se ekziston një cështje në Kosovë, sepse bota nuk ka menduar se ka cështje në Kosovë. Kjo ka qenë një fazë e rëndë, të cilën LDK-së, Ibrahim Rugovës dhe grupeve të tjera duhet t’i njihet si meritë”

“Politika e tij e ndërkombëtarizimit e arrin veç një qëllim. Të ndërkombëtarizohet cështja e Kosovës vetëm si cështje e të drejtave të njeriut. Dhe, këtë e marrim vesh në vitit 1995, në Dayton, ku Kosova nuk është në tavolinë”, thotë Latifi.

Këtu Thaci thotë se nga LDK-ja e asaj kohe pretendonte se Kosova do të jetë temë në konferencën e Daytonit.  

Latifi thotë se, vec pak vjet më vonë, gjatë ’90-ave, lëvizja e Rugovës humb shkëlimin e saj, humb sensin dhe nis gabimet.

“Më pas, Lëvizja paqësore fillon të burokratizohet. Nga të qenit instrument, lëvizja rutinizohet. Burokratizimi i asaj lëvizje ndikon që Rugova gradualisht ta humb sensin e asaj lëvizjeje”, thotë Latifi.

Edhe Gorani thotë se viti i parë prej themelimit të LDK-së, pra fillimi i 90-ave, ka qenë si një “muaj i mjaltit” i një përbashkësie kombëtare dhe se më pas LDK-ja e humbi qëllimin e saj.

“Kur e kemi parë në vitet që pasojnë 92,93,94…, se gradualisht ideja e LDK-së fillon me u shndërru në njëfar rutine shoqërore, që fillon të jetojë vetë, për vete, ne e kemi kritikuar shumë”, thotë Gorani.

Jusuf Thaci i jep meritë të vogël LDK-së për ndërkombëtarizimin e Kosovës, ndërsa thotë se është naivitet të mendohet se cështja e Kosovës nuk ishte e njohur në nivelin diplomatik të fuqive të mëdha.

“Për ndërkombëtarizimin e cështjes së Kosovës mendoj se kanë kontribuar absolutisht më së shumti mediat”, thotë Thaçi.

Thaci ka një këndvështrim tjetër për cështjen e ndërkombëtarizimit. Ai thotë se madje Rugova e ka portretuar ndryshe realitetin në marsin e 98-ës, kur menjëherë pas masakrave në Drenicë, ka mbajtur zgjedhje.

 “Pas masakrave në Likoshan dhe Qirez, pas masakrës, përkrahtësisht rezistencës së familjes Jashari, LDK-ja organizonte zgjedhje të lira dhe demokratike”

Kjo, sipas Thaçit, përcillte mesazh të botë se në Kosovë janë disa incidente, përndryshe populli ishte i lirë dhe po merrte pjesë në zgjedhje.

Zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, në mars të vitit 1998 pas masakrave, filozofi Latifi i konsideron si gabim fatal të Rugovës. Thaci thotë se nuk ishte gabim, por ka qenë qasje dhe bindje.

Miti i Rugovës

Gorani thotë se ka një tendencë të shoqërisë kosovare për ndërtimin e miteve për personalitetet historike.

“Ibrahim Rugova nuk e ka ndërtuar vetën si ikonë. Ai është i ndërtuar si ikonë së pari nga ana e LDK-së, më pas edhe i njerëzve që politikën e kanë përjetuar në mënyrë gati përrallore, religjioze. E ajo është karakteristikë e shoqërisë”.

“Prej Rugovës unë e kam parë se është tendencë e shoqërisë sonë, që politikanin me shndërru në zëvendësim të të gjithë nevojave që shoqëria mund t’i ketë”, thotë Gorani.  

Opinionistët thonë se Rugova nuk është parë si një politikan normal, por është profetizuar. Ai, thonë, është kthyer në kult, ndërsa shihej si misionar, e jo si politikan tipik.

Mënyra se siç shihej Rugova, sipas opinionistëve, u përkthye me vota në zgjedhjet lokale në vitin 2000, menjëherë pas luftës.

Fitores së Rugovës menjëherë pas luftës, opinionisti Thaci thotë se i ndihmoi një propagandë, që, sipas tij, e bëntë LDK-ja edhe anti UÇK-së.

“Në atë kohë, për kosovarin e rëndomtë, sidomos në vitin 99, nuk ka ekzistu bindja se ekziston ndasi mes UCK-së dhe LDK-së”, thotë Gorani.

Ndërkaq, Thaci thotë se fitoren e tij e ka ndihmuar edhe një propagandë dhe një frymë anti-UÇK dhe vullneti i vogël i qytetarëve që të luftonin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here