Ministri që nuk arriti të na zbulojë sa inovativ ishte – nuk tregon çfarë punoi për dy ditë

0
14

Shala s’ka dashur të komentojë se çka ka punuar për këto dy ditë. As sa vendime i ka marrë. As sa para ka harxhuar. As nëse ka realizuar ndonjë projekt në inovacion.

Muzafer Shala ka hyrë në historinë e Kosovës si njeriu që e ka mbajtur më së shkurti pozitën e Ministrit. Puna e tij si Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë zgjati vetëm dy ditë. 

Haradinaj e emëroi si ministër të mërkurën, derisa të premten njoftoi se Qeveria është në dorëheqje. Madje, edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë si ministër figuron Besim Beqaj.

I kontaktuar nga Express, Shala s’ka dashur të komentojë se çka ka punuar për këto dy ditë. As sa vendime ka marrë. As sa para ka harxhuar. As nëse ka realizuar ndonjë projekt në inovacion.

Ai është arsyetuar se është i sëmurë dhe se nuk mund të flasë.

“Hajde dëgjohemi. Jam pak keq me një kollë”, ka thënë Ministri në dorëheqje, Muzafer Shala.

Muzafer Shala është doktor shkence në fushën e Inxhinierisë Elektronike në Universitetin e KENT-it, i cili është njëri ndër universitetet më të mira në Angli. Ai është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe vjen nga Dega e PDK-së në Vushtrri.

Në pozitën e Ministrit erdhi në vend të ish-ministrit, Besim Beqaj, pasi kreu i PDK’së mori vendim për shkarkimin e njerëzve të PDK’së me aktakuza. 

Ndërkohë, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten, dy muaj pa i mbushur dy vjet të Qeverisë së ndërtuar nga AAK-ja, PDK-ja, NISMA e AKR-ja. 

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte. 

Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik. 

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK-ja ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK-ja e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme, sikurse edhe PSD-ja e NISMA e Fatmir Limajt. 

Presidenti pritet gjatë ditëve të ardhshme t’i thërrasë partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje. 

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe. 

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit. 

Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës. 

Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. 

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here