Mustafa zbutet nga Osmani, Hoti mbetet nën hije dhe pa mbështetje

0
109

Albin Kurti nuk e përfilli fare dje partnerin e tij të koalicionit, LDK-në, kur vendosi të shfaqet në konferencë me një grumbull biznesmenësh, për ta prezantuar planin e tij për heqjen e pjesshme me afatizime të tarifës 100 për qind për produktet me origjine nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Por, menjëherë pas kësaj konference, shumë i ashpër me Kurtin u shfaq zëvendësi i tij i parë, Avdullah Hoti, i cili njihet për butësinë e tij rugoviane, i cili e konfirmoi edhe vetë që Kurti nuk është koordinuar fare me LDK-në, shkruan Periskopi.

Zëvendëskryeministri Hoti, që njëherësh është edhe njeriu kryesor i LDK-së brenda Qeverisë Kurti, shkoi madje edhe shumë më larg, duke deklaruar se LDK-ja del nga qeveria nëse kryeministri Kurti nuk vepron siç po kërkojnë miqtë amerikanë.

Por, sot, pasi që Kurti dhe Hoti u panë së bashku në mbledhjen e qeverisë, menjëherë pas përfundimit të saj ishte caktuar edhe një takim i ri, duke u përfshirë në këtë mes edhe vetë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili më herë kishte dhënë një intervistë të qartë për tarifën 100 për qind në njërin prej televizioneve vendore.

Ky takim tashmë ka kohë që ka përfunduar, por ende nuk kemi asnjë qëndrim zyrtar të asnjërës palë. Ndërsa, nga burime të afërta me qeverinë mësohet se LDK-ja i ka zbutur sërish qëndrimet e furishme që kishte shfaqur mbrëmë, duke e mirëkuptuar këtë pozicion të Kurtit.

Nuk dihet ende nëse Mustafa është dorëzuar tërësisht përballë idesë së Kurtit, i cili po përpiqet të blejë kohë deri në heqjen e tërësishme të tarifës 100 për qind, ashtu siç po e kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kjo heshtje masive që mbizotëroi pas këtij takimi në LDK, lë të nënkuptohet se qëndrimet e ashpra të zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hoti, tashmë i përkasin vetëm së kaluarës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here