Nagavci: Vjosa Osmani donte bashkëqeverisje me VV’në

0
56

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë se nuk ka arsye e as argumente që të shkarkohet Glauk Konjufca nga posti i krye parlamentarit dhe bëri thirrje të kujtohen deklaratat e Vjosa Osmanit.

Ajo thotë se është e vetëdijshme se rritja e ministrive do t’i faturohet Vetëvendosjes.

“Rritja e ministrive është një kosto që do të na faturohet neve. Këtë e kemi bërë për LDK-në në mënyrë që të mos bëjmë lojëra për heqjen e pozitave të rëndësishme. Balancimi i pushtetit nënkupton përgjegjësi të ndara në ekzekutiv, në këtë situatë që kemi. Kemi një president që është zgjedhur me votat e LDK-së, dhe edhe një kryeministër që u zgjodh me votat e LDK-së”, ka thënë ajo në emisionin  Interaktiv të KTV’së.

Nagavci shtoi se duhet të tregojnë se i kanë të rëndësishme parimet e kujtoi fjalët e Vjosa Osmanit.

“Ne kemi një situatë të re. LDK-ja do të kishte mundësinë të kishte mundësinë të kishte pozitën e kryeministrit nëse do të dilte e para, kurse atë të krye parlamentarit nëse do të pranonte propozimin tonë, por nuk i ka pranuar. Qytetarët janë lodhur me të drejtë. Të gjithë i dinë deklaratat e Osmanit, e cila hapur e kishte shprehur se do të donte bashkëqeverisje me VV-në, e se pozita e presidentit nuk duhet të diskutohet”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj qeverisja e ardhshme duhet të udhëhiqet nga fituesi dhe për këtë duhet të jenë në qeverisje VV e LDK.

“Pozitën e krye parlamentarit nuk e ka pranuar LDK-ja. Arsye që të shkarkohet Konjufca nuk ka, e as argumente. Nëse janë penduar do të ishte e ndershme të thonë se kemi gabuar. Nuk është shumë e rëndësishme të themi se ne e kemi këtë individ vetëm pse është i joni, pasi do të qeverisim bashkë. Kurti i ka kërkuar më 23 dhjetor LDK-së që të ketë emrin e kryeparlamentarit, në mënyrë që më 24 të kemi marrëveshje. E më 25 i kemi njoftuar qytetarët për hir të transparencës, e kjo ishte pas pamundësisë për të arritur marrëveshje”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se VV-ja ka nxjerrë pjesën e Mustafës kur thotë se VV-ja mund ta propozojë kandidatin për krye parlamentar.

“Jam e prirur të besoj se në LDK ka zëra racional që janë të interesuar të votojnë qeverinë. Besoj se do ta marrin seriozisht mesazhin e qytetarëve që na kanë dhënë më 6 tetor. Qeverisje pa fitues të zgjedhjeve nuk mund të ketë. Mund të ketë Qeveri pa fitues të zgjedhjeve, por s’mund të ketë qeverisje pa fitues të zgjedhjeve. Besoj se LDK-ja do të ketë kurajën të dëgjojë zërat racional. Shembulli i VLAN-it duhet të shërbejë si mësim se si nuk duhet të veprohet. Tani i kemi fituesit e zgjedhjeve që kemi 58 mandate dhe është shumë më e lehtë të arrihet një marrëveshje”.

Sipas Nagavcit VV-ja ishte shumë gjeneroze në ofertën për LDK-në.

“VV-ja ka bërë në vazhdimësi hapa për të ecur përpara. Jemi pajtuar që t’iu ofrojmë gjashtë ministri, e zgjedhjen e presidentit me propozimin e LDK-së. Pra, kemi bërë një varg kompromisesh deri më tani. Jemi të gatshëm, që nëse ata ofrojnë ndonjë gjë tjetër mund të shohim, por nuk mund të kthehemi në hapa prapa. Nuk është synimi kjo, dhe nuk është kjo çfarë u kemi premtuar qytetarëve. Kurti ka bërë kërkesën që të ulen sërish në tavolinë për të diskutuar derisa të gjejnë një zgjidhje. Kur ekziston vullneti mund të gjendet më shumë se një zgjidhje. Por, nuk ka përafrim kur t’i kërkon të bëhen hapa prapa”, u shpreh Nagavci.

Nagavci ka thënë se janë të interesuar të kenë një marrëveshje të drejtë dhe një qeverisje që fillon me këmbë të mbarë.

Ajo ka thënë nëse kjo nuk ndodh atëherë shkohet në zgjedhje të reja.

“Ne nuk mund të jemi pjesë e qeverisë vetëm sa për të qenë. Kurti e ka pasur mundësinë të jetë kryeministër vetëm sa për të qenë. Ne kemi thënë gjithmonë se jemi të interesuar të vendosim standarde të reja. Nëse ne kishim dashur të jemi pjesë e pushtetit me çdo kusht atëherë do të ishim. Po ky nuk ka qenë synimi jonë dhe nuk është”, ka thënë ajo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here