Nënkryetari i LDK’së thotë se Srpska mund ta rrëzojë Haradinajn siç e ka bërë Kryeministër

0
45

Lutfi Haziri thotë se deklaratat e Listës Srpska mund të jenë për konsum ditor dhe për t’i bërë presion Qeverisë për heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve të Serbisë. Ka thënë se LDK ende nuk ka qëndrim për pozicionin e ri të deputetëve serbë. Megjithëkëtë, ka thënë se votat e Srpska’s ishin vendimtare për formimin e Qeverisë dhe mund të shërbejnë për të humbur shumicën pozita.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se Partia e Isa Mustafës ende nuk e ka një qëndrim lidhur me pozicionin e ri të Listës Srpska për ta rrëzuar Qeverinë e Ramush Haradinajt.

Megjithëkëtë, njeriu i dytë në LDK thotë se votat e Srpska’s ishin vendimtare për formimin e Ezkekutivit aktual dhe mund të shërbejnë për ta çuar Ramush Haradinajn në shtëpi.

Sidoqoftë, Lutfi Haziri dyshon se deklaratat e deputetëve të pakicës serbe mund të jenë presion mbi Qeverinë për të hequr taksën e 10 për qindëshit e vendosur ndaj Serbisë.

Madje, thotë se Srpska ka pasur marrëveshje sekrete me Kadri Veselin e cila s’është bërë asnjëherë publike.

“Shpresojmë shumë që mos të jetë vetëm deklaratë për konsum ditor dhe për t’i bërë presion Qeverisë për taksën 10 për qind që është apliku kundër Serbisë”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Gjilanit ka thënë se reagimi i Srpska’s ka ardhur pasi Kadri Veseli ka pasur një marrëveshje sekrete me pakicat që s’është publikuar asnjëherë.

“ Është presion edhe për t’u realizuar kërkesat e Srpskas për një marrëveshje sekrete që kanë pasur me Kadri Veselin që nuk është realizu. Duhet të bëhet publike kjo marrëveshje me pa çka është premtu dhe realizu”, ka thënë Haziri, në një bisedë për Express.

Sot, Lista Srpska, përmes një komunikate, ka treguar se dhjetë deputetët e saj do të votojnë për rrëzimin e Qeverisë. Votat e Partisë së Milan Radojcic kishin mundësuar formimin e Qeverisë së koalicionit PDK-AAK-NISMA.

Në anën tjetër, Nënkryetari i LDK’së ka thënë se do ta diskutojnë në parti pozicionin e ri të Srpska’s.

“Ne ende nuk kemi marrë qëndrim sa i përket zhvillimeve gjithçka që është në funksion të stabilitetit të vendit do të shqyrtohet seriozisht. LDK nuk e ka diskutu. Jemi duke e përcjell me kujdes të veçante dhe me kohë do ta vlerësojmë”, ka thënë ai.

Ky zyrtar i LDK’së nuk e ka sqaruar pozicionin e partisë së Isa Mustafës nëse është pro rrëzimit të Qeverisë me votat e serbëve. Por, ka thënë se meqë serbët kanë përcaktuar formimin e Qeverisë mund të ndikojnë edhe në rënien e saj.

“Mënyra se si bien Qeveria është e përcaktuar edhe si shkon”, ka shtuar Lufti Haziri.

Qeveria e Kosovës i ka pasur 61 vota.  Mbledhjet e Parlamentit janë duke dështuar për shkak se në shumicën prej seancave s’po arrihet të bëhet as kuorumi.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here