Nxënësit mund të mos kthehen në shkolla pas pushimit, shkak infektimi i mësimdhënësve me COVID-19

0
86

Dje përfundoi gjysmëvjetori i parë për vitin shkollor 2020/2021. Nxënësit shkuan në pushim dimëror për një muaj, teksa ministri Likaj pohoi se ata do të angazhohen me detyra edhe gjatë kësaj pauze mësimore. Por, kryeministri Hoti përmes një deklarate për media, la të nënkuptohet se varësisht nga situata epidemiologjike, nxënësit mund edhe të mos u kthehen shkollave në janar. Për këtë çështje janë deklaruar edhe nga MASh-i.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, dje nënvizoi se gjysmëvjetori  i pari i vitit shkollor 2020/2021, ishte një vit i vështirë për secilin pa përjashtim. Ndërkohë që shprehu besimin që prej 18 janarit 2021, mësimi të fillohet në kushte më të mira. Këto komente ai i bëri gjatë vizitës që bëri dje në shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania”, në kryeqytet.

“Statistikat e fundit na tregojnë se numri i arsimtarëve të prekur nga Covid-19, në raport me mjekët apo policët, është në përqindje më të lartë, që nënkupton se edhe ju jeni në vijën e parë të frontit në luftë me këtë armik të padukshëm, njëlloj sikurse profesionistët e tjerë”, tha Hoti, duke shtuar se shpreson se nxënësit ti rikthehen shkollave me këtë datë ashtu edhe siç është paraparë.

Në ndërkohë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), kanë thënë për Express se vendimi i Qeverisë për pushimin dimëror to të respektohet me afatet e përcaktuara.

“Për shkak të gjendjes aktuale pandemike, e cila tashmë mund të kombinohet edhe me gripin sezonal, rritjes së numrit të të infektuarve me virusin Covid-19, në konsultim kryeministrin e Kosovës z. Hoti, rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së, MASh ka marr vendim për ta zgjatur pushimin pas periudhës së parë të vitit shkollor 2020/2021, dhe si i tillë vendimi do të respektohet me afatet e përcaktuara në të”, thuhet në përgjigjen e MASh-it dhënë për Gazetën.

Sipas tyre kjo kohë do të shfrytëzohet për të dezinfektuar shkollat dhe për ti përgatitur ato për fillim e mësimit.

“Koha e pushimit do të shfrytëzohet për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave, ndërkaq MASh do ti përkrah  shkollat në përgatitje dhe ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit në shkolla”, thuhet më tutje në përgjigje.

Të shqetësuar me mësimin në distancë dhe efektet që ka krijuar kjo formë e mësimit tek nxënësit janë prindërit. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti ka thënë për Express, se nxënësit janë dëmtuar me këtë lloj mësimi. Ai theksoi se edhe pushimi prej një muaj do i dëmtojë të njëjtit.

Në ndërkohë për njohësit e fushës së arsimit, mësimi online tashmë veçse është treguar jo efikas.

“Mësimi online tashmë është dëshmuar si jo efikas, mund të ketë qenë interesant dhe i domosdoshëm në pranverë, si reagim karshi shumë të pa njohura për pandeminë në atë periudhë, mirëpo, tash, muaj më vonë, të gjithë besoj jemi të të njëjtit mendim që mësimi me prezencë fizike nuk mund të zëvendësohet asesi me atë online dhe nga distanca”, ka thënë Rinor Qehaja, nga Instituti “EdGuard”, për Express.

Sipas tij tashmë veçse do të  duhej të kishte një rishikim të skenarëve për mbarëvajtjen e mësimit në kushte të pandemisë.

“Numri i vogël i të infektuarave në shkollë që nga rikthimi në shtator duhet të jetë pikënisje për rishikim të skenarëve për mbarëvajtje të mësimit në kushte të pandemisë.  Përkushtimi i institucioneve tona duhet të jetë që njëkohësisht karshi kujdesit për shëndetin gjatë pandemisë vëmendja të kthehet në sigurim të cilësisë në mësimdhënie. Dëmi nga shpërqendrimi që është shkaktuar do të ketë pasoja afatgjatë në performances akademike të të rinjve”, ka thënë më tutje ai.

Në shkollat e vendit brenda 4 ditësh me koronavirus janë infektuar 118 mësimdhënës dhe 64 nxënës.

“Nga raporti i fundit i inspektoratit të arsimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe personelin e infektuar në shkolla, për periudhen 14 – 18.12.2020 në gjithë komunat e Republikës së Kosovës kemi këto të dhëna:  118 mësimdhënës të infektuar dhe 90 të shëruar, 10 personel të infektuar dhe 8 të shëruar, 64 nxënës të infektuar dhe  47 të shëruar”, është bërë e ditur në të dhënat e MASh-it.

Në ndërkohë ministri i Shëndetësisë në një konferencë për media ka bërë të ditur dje që në nivel vendi që nga hapja e shkollave, janë shënuar 1.615 raste të mësimdhënësve të infektuar me koronavirus dhe 1173 raste tek nxënësit.

“Gjatë procesit mësimor, nga 15 shtatori e deri më sot janë testuar 10,823 mësimdhënës (prej tyre 1,615 kanë rezultuar pozitiv 14.9%) dhe 6,792 nxënës (prej tyre 1173 kanë rezultuar pozitiv 17.3%) mesatarja 15,8%”, ka thënë Zemaj dje në një konferencë për media.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here