Prokurorja: Veliu u tentua të sakrifikohej për Enver Hasanin

Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Në gjykimin e Enver Hasanit, Albert Rakipit dhe Hakif Veliut, prokurorja Drita Hajdari gjatë fjalës përfundimtare tha se në këtë proces është paraqitur një tendence që është karakteristike për krimin e “jakës së bardhë”- sakrifikimi i zyrtarit më të ulët në të mirë të atij më të lartë.

Prokurorja Drita Hajdari gjatë fjalës përfundimtare u ankua edhe për një provë të refuzuar nga gjykata.

“Korrespodenca elektronike e dorëzuar nga Albert Rakipi dhe e propozuar si provë dëshmon dashjen dhe marrëveshjen paraprake të të akuzuarve për ndryshimin e kontratës origjinale dhe hartimin e kontratës së re me ndryshim çmimi në dobi të kompanisë ISN”, tha hajdari, duke shtuar se kjo provë çuditërisht është refuzuar nga gjykata jashtë shqyrtimit gjyqësor, pa u administruar si provë.

Por Bajram Tmava, avokati i Enver Hasanit në fjalën e tij përfundimtare, pati porosi me fjalë biblike për Prokurorinë Speciale të Kosovës që ka ngritur aktakuzën ndaj të mbrojturit të tij dhe dy të tjerëve.

“Fali o Zot se nuk dinë çka bëjnë. Me këtë po i drejtohem krejt Prokurorisë Speciale e jo prokurores në fjalë”, tha Tmava.

Tmava më tutje deklaroi se “prapa këtij rasti qëndrojnë njerëz te caktuar dhe në dosje të landes do ta gjeni një shkresë nga Mujë Rugova dërguar organeve të ndjekjes”.

Avokati deklaroi pastaj që një prokuror i EULEX-it e kishte kthyer në prokurorinë e përgjithshme lëndën, ngase sipas Tmavës kishte konstatuar se nuk ka veprime të kryera.

“E kanë dërgu landen te Prokuroria Speciale ku një prokuror i EULEX-it ka shqyrtu dhe e ka kthy se s’ka të bëjë me veprime dhe e ka kthy në prokurori të përgjithshme”, tha Tmava.

Ai tregoi se lënda përsëri i shkon Prokurorisë Speciale ndërsa sipas ti më 15 prill 2015 bëhet zgjerimi i aktakuzës duke përfshirë në të edhe Enver Hasanin.

Zgjerimi i aktakuzës, sipas Tmavës, ishte bërë pikërisht në kohën kur Gjykata Kushtetuese ia kishte vazhduar mandatin tre gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Enver Hasani në një proces tjetër ishte akuzuar se në mënyrë të kundërligjshme si kryetar i Gjykatës Kushtetuese ua vazhdoi mandatin gjyqtarëve ndërkombëtarë, por ishte liruar nga akuza.

Bajram Tmava në seancën për përkthimin e librave foli edhe për dëshminë e rektorit Marjan Dema në këtë proces.

“Më është dhimbsur Marjan Dema ne dëshminë e tij të dhënë në gjykatë ngase një njeri me integritet si ai me ardhë në gjykatë me asi dilema sikur që ai ka shfaqur është për t’u dhimbsur”, tha Tmava.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi – 1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Enver Hasani, por edhe Albert Rakipi dhe Hakif Veliu u deklaruan të pafajshëm në dhjetor të vitit 2015./Kallxo.com

Posto nje koment

Please enter your comment!
Emri juaj ketu