Ramadani: Në vitin 2019 i kemi mbështetur 2339 fermerë të Gjilanit

0
37

Komuna e Gjilanit gjatë vitit që sapo e lamë pas ka mbështetur 83 për qind të kërkesave për subvencione.

Në komunën e Gjilanit gjatë vitit 2019 janë mbështetur me subvencione 2 mijë e 339 fermerë, ose 83 për qind nga të gjitha kërkesat e tyre.

“Gjatë këtij viti, kemi pranuar 2805 kërkesa për mbështetje dhe aplikacione për subvencione, prej të cilave pozitivisht iu kemi përgjigjur 2339 prej tyre ose 83 për qind, ndërsa janë refuzuar 466 kërkesa. Jemi të lumtur kur të arrijmë që të gjitha kërkesave t’iu përgjigjemi pozitivisht”, ka deklaruar drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, në konferencën për media të së mërkurës.

Sipas tij, mbështetja ka shkuar në subvencionimin e mbjelljeve pranverore dhe vjeshtore, si masë e përhershme, në mekanizim bujqësor, serra për perimtarët, shtëpiza për bletarët, makina mjelëse për blegtorët, sikurse edhe ngritja e 15 hektarëve me kulturë të arrës.

Sipas Ramadanit, 2019-ta ishte vit i bereqetshëm edhe sa i përket mbështetjes së donatorëve,  kryesisht të huaj.

“Faleminderit shumë Komisionit Evropian, IADK, shkollës së mesme të agro-biznesit “Arbëria”, OZHR Mëshqerra” etj., për mbështetjen e jashtëzakonshme për realizimin e projekteve tona. Me këtë mbështetje, u është lehtësuar jashtëzakonisht shumë puna e fermerëve të Gjilanit. Po ashtu, faleminderit kryetarit Haziri për mbështetjen e madhe, duke e ruajtur bujqësinë si prioritetin e pare të qeverisjes”, ka deklaruar Ramadani.

Për vitin 2020, sipas Ramadanit, mbështetja do të vazhdojë duke filluar me kontingjentin e dytë të lopëve qumështore, që do të realizohet në janar, sikurse edhe programe të tjera të rëndësishme për bujqit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here