Sa u kushtoi kosovarëve kalimi në Rrugën e Kombit nga fillimi i këtij viti?

0
22

Biznesi me taksën po i ec fort mirë Shefqet Kastratit. Edhe gjatë këtij viti, nga taksat që kanë paguar kosovarët për të kaluar në “Rrugën e Kombit”, ai ka arkëtuar miliona euro, raporton Express.

Bazuar në numrin e veturave që kanë hyrë e dal nga Kosova për në Shqipëri përmes Vërmicës e Qafës së Morinës, në arkën e Shefqet Kastratit gjatë këtyre shtatë muajve janë derdhur mbi gjashtë milion euro.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës që ka siguruar Gazeta Express, nga 1 janari deri më 31 korrik, përmes këtyre dy pikave kufitare kanë hyrë dhe dalë mbi 800 mijë automjete, duke përfshirë këtu vetura, kamionë dhe autobusë.

Pagesa për mini-busë dhe vetura është 5 euro (klasi 2), autobusët (klasi 3) 11.30 euro, kamionët e vegjël (klasi 4) 16.30 euro dhe kamionët e mëdhenj (klasi 5) do të paguajnë 22.60 euro

Gazeta Express ka bërë një përllogaritje, sipas së cilës, nga taksat që kanë paguar kosovarët për mbi 800 mijë automjete që kanë kaluar nëpër pikat kufitare në Vërmicë dhe Qafë të Morinës, i bie që në arkën e Kastratit kanë shkuar 6 milionë e 296 mijë e 229 që nga fillimi i vitit.

Nga taksat që kanë paguar kosovarët për të kaluar me vetura, ai ka fituar mbi 3 milionë euro, derisa pjesën tjetër të parave e ka fituar nga paratë që i kanë dhënë për të kaluar me kamionë e autobusë.

Ndryshe, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimi në korrik të këtij viti kishte njoftuar se ka kërkuar nga homologu i saj shqiptar, Erion Braçe, që të pezullohet taksa për kosovarët deri më 15 shtator.

“Në këtë takim kam kërkuar nga zv/kryeministri Braçe që Qeveria Shqiptare t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë për pezullimin e taksës në Rrugën e Kombit për të gjithë qytetarët e Kosovës deri më 15 shtator. Po ashtu, kam kërkuar që brenda këtij muaji të eliminohen të gjitha barrierat që po pamundësojnë jetësimin e plotë të marrëveshjeve të arritura më herët siç është pika doganore e Kosovës në Durrës, unifikimi i kodit doganor, njohja e dokumentacioneve reciproke për eksport dhe import, si dhe kërkesën e Odës së Farmacistëve të Kosovës për listën e çmimeve të barnave esenciale”, kishte shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Madje, sipas saj, Braçe ishte zotuar se çështja e taksës në Rrugën e Kombit do të ngrihej në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Shqipërisë.

 “Unë me kënaqësi do t’i vazhdoj projektet e nisura në kohën e koordinatorit kombëtar të dy qeverive, Fatmir Limaj dhe gjithë përkushtimi im do të jetë në funksion të jetësimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët dhe marrëveshjeve të reja mes dy vendeve që për qëllim kanë lehtësimin e jetës së qytetarëve andej e këndej kufirit”, kishte shkruar zëvendësja e Hotit.

Por, kërkesa e saj duket se nuk është marrë parasysh, meqenëse kosovarët vazhdojnë të paguajnë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here