Serbia vë në lajthitje BE

0
96

Serbia vë në lajthitje BE

Ndërsa Berlini dhe Parisi kanë ndërmarrë një nismë të re lidhur me rajonin, ku kryefjalë do të jetë Kosova, duke shprehur kështu përkushtimin ndaj kësaj pjese të gjeografisë së saj politike, disa lëvizje diplomatike para këtij takimi kanë filluar në relacionin Moskë-Beograd. Këto lëvizje kanë marrë ritëm ditëve të fundit. Si përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës ashtu edhe të Serbisë nuk kanë shprehur ndonjë optimizëm për arritjen e një marrëveshje finale për të cilën vendet perëndimore dëshirojnë ta përmbyllin këtë kapitull i cili është duke u zvarritur. Nisma e kancelares gjermane dhe presidentit francez është si pasojë e dështimit të ndërmjetëses evropiane në udhëheqjen e dialogut Frederica Mogherini të cilën publikisht e ka kritikuar shefi i delegacionit të parlamentit evropian për bashkëpunim me Serbin Eduard Kukan, i cili tha se marrëveshja e dy palëve do të jetë punës për trashëgimtaren e Mogherinit. “I kërkoj ndjesë znj. Mogherini, por BE qartë ka treguar mungesë të udhëheqjes në dialog. Bisedimet e tilla mund të kenë sukses vetëm nëse tregoni lidership të fuqishëm. BE duhet të jetë  e fuqishme dhe më e vendosur në dialog, më mirë të parashikojë zhvillimet dhe të reagoj ndaj tyre “, ka thënë Kukan ditë më parë cituar nga  portalanalitika.  Kancelarja gjermane dhe presidenti francez me këtë takim po e përçojnë një sinjal se BE mbetet e përkushtuar për Ballkanin perëndimor dhe për këtë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të ftuar në këtë takim do të shprehin qartë rrugën e tyre në proceset e integrimit evropian përveq Serbisë e cila kohëve të fundit ka devijuar nga synimet e saj të proklamuara. Jo rastësisht presidenti serb Vuçiç tha se para këtij takimi do të zhvillojë një bisedë të madhe me presidentin rusë dhe atë kinez   në Forumin e Dytë për bashkëpunim ndërkombëtar “rruga e mëndafshtë”, që do të zhvillohet në Peking nga 25 deri më  27 prill, dy ditë para takimit në Berlin. Tashmë kemi edhe deklaratën e parë të ministrit të jashtëm rusë Sergey Lavrov i cili pas një takimi me homologun e tij rusë Ivica Daçiç tha se Rusia nuk do të lejojë që KS i OKB të ndryshojë mandatin e KB në Kosovë. Pra Moska zyrtare konsideron se ende nuk është koha për një marrëveshje finale, pavarësisht  deklarimit se do të pranojë cfarëdo zgjidhje me të cilën pajtohen palët.

Menjëher pas adresimit të thirrjeve për këtë takim, Moska ka vendosur ta dërgoj në Beograd ambasadorin e ri Aleksandër Boçan Harçenko i cili detyrën do ta merrë në qershor, kur këtë post do ta lëshojë ambasadori aktual Aleksandër Çepurin. Sipas gazetës Blic, Çepurin karrierën do ta vazhdojë në ministrin e jashtme ruse. Harçenko ishte ambasador  i Rusisë në BH nga viti 2009 deri më 2014, është njohës i rajonit të  Ballkanit.  Ai ka qenë së bashku me  përfaqësuesit e ShBA dhe BE në treshen ndërmjetëse për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ndërsa ka marrë pjesë edhe në punën e Këshillit për implementimin e paqes që ka përcjellë përmbushjen e marrëveshjes së Dejtonit. Nga Moska në Beograd vjen nga pozicioni i shefit të shërbimit të katërt evropian në MPJ ruse. Marrja e këtij pozicioni mund të interpretohet si synim i Moskës të mbajë ndikimin në Ballkan, veqanërisht marrë parasysh zhvillimet rreth Kosovës. Harçenko për herë të fundit ka dhënë deklaratë sa i përket Kosovës më 2017 kur tha se Rusia është në kontakt me Beogradin për shkak të përkeqësimit të situatës me Prishtinën. Të njëjtën kohë  edhe Beogradi do të emërojë ambasadorin e ri në Moskë i cili do ta zëvendëson atë aktualin dr. Slavenko Terziç i cili për dy mandate ushtroi këtë funksion. Në këtë post është emëruar nga qeveria javën e kaluar deputeti nga radhët e SNS, gazetari dhe publicisti Miroslav Lazanski i cili nuk ka ndonjë përvojë të madhe në diplomaci. Për këtë post siç theksojnë mediet serbe, me siguri është rekomanduar pasi është rusofil dhe mbështetës i presidentit aktual Vladimir Putin.

Sekretarja e përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi, Suzana Grubjeshiq vlerëson se fjala është për vazhdimin e politikës ruse.  “Moska gjithmonë ka pasur aspirata nga Serbia dhe gjithmonë ka dërguar diplomatë të fortë në Beograd. E gjitha është e ndërlidhur me Kosovë, dhe është e njohur se cfarëdo zgjidhje për këtë cështje duhet të kalojë KS të OKB, në të cilën është Rusia. Nuk ka shumë vend në të cilën Moska ka ndikim, ndërsa Ballkani është njëra nga to”, theksoi Grubjeshiq.  Deri më tani Serbia deklarativisht ka shprehur qëndrimin për një orientim pro perëndimor, por nga ana  tjetër  pak ka shprehur vullnet për harmonizimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me BE. Madje me furnizimet e vazhdueshme të armatimit ajo po shkakton një disbalanc të forcave në rajon, gjë që drejëtpërdrejt po vë në pëikëpyetje sigurinë e rajonit.  Kjo ka bërë që diplomatë perëndimor të shfaqin mëdyshje rreth përkushtimit të Serbisë për të aderuar në familjen politike evropiane. Aq më tepër kur Moska ka finalizuar qëndrimet me Beogradin rreth një marrëveshje për tregti të lirë, që bie ndesh me synimin e kësaj të fundit për anëtarësim në BE. Pikërisht ditën kur u dha lajmi për takimin e nivelit të lartë në Gjermani, zyrtarë të lartë rusë theksuan se bisedimet e Moskës me Beogradin për zonën e lirë tregtare kanë përfunduar. “Marrëveshja mund të nënshkruhet në tetor, ka deklaruar Veronika Nikishin, anëtare e këshillit për tregti të Komisionit ekonomik euroaziatik.“Këtë vit kemi përfunduar bisedimet me Serbinë tani do ta nisim procedurën e përgatitjeve për nënshkrimin e marrëveshjes. Shpresojmë ta nënshkruajmë në tetor”, tha Nikishin në konferencën ndërkombëtare shkencore-praktike “Nga idea deri në realitet” nën organizimin e Unionit Ekonomik Euroaziatik. Pikërisht atë muaj në Moskë do të shënohet me fishekzjarre çlirimi i Beogradit nga Gjermania. 

Ligjëruesi në Institutin për politikë ndërkombëtare në Universitetin Xhons Hopkins, Edvard Xhozef tërheq vëmendjen se “lidhjet e fuqishme” me Rusinë nuk janë në interes të Serbisë. Sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjes për zonën e tregtisë së lirë me Unionin ekonomik Euroaziarik dhe anëtarësimi potencial  i Serbisë në këtë organizatë që udhëheq Rusia, do të ishte rrugë pa dalje për Serbinë. Ai tha se iniciative ruse për Serbinë nuk befason duke shtuar se të ardhmen do të ketë lëvizje të njëjta. Në një deklaratë për Zeri i Amerikës ai shfaqi shpresën që presidenti serb Vuçiç është i vetëdijshëm cfarë dëmi, anëtarësimi në UEE, do ti sillte Serbisë e cila është në procesin e negociatave me BE. Ai thotë se Rusia është një sfidë, sidomos kur është fjala për Kosovë. “Madje jo në atë masë për shkak të marrëdhënieve që mban me Serbinë, por si anëtare e KS të OKB, duke pasur parasysh që Kosova synon të bëhet anëtare e KB. Rusia në këtë pjesë luan rolin kundër të cilën asnjë shtet nuk mund të bëjë asgjë. Kjo shtron nevojën që të gjinden mundësi tjera, në kuptimin nëse Rusia do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, nëse Beogradi pajtohet me ulësen për Kosovë në këtë trup. Ky është një skenar i pazakonshëm, por qëndrimi i Rusisë duhet marrë parasysh”, tha Xhozef. Ai theksoi se kjo nuk është sfida më e madhe e marrëveshjes së Beogradit dhe Prishtinës , por që aty fjala është për nevojën e e vizionit dhe guximit në në kuptimin politik të liderit.

Por Aleksandër Pivovarenko, një hulumtus I lartë në Këshillin rusë për marrëdhënie ndërkombëtare thotë se situata në rajon në vitet e ardhshme do të jetë më e komplikuar. Sipas tij qasjet diplomatike ruse duhet të jenë më pak formaliste.  “Ata duhet të bazohen në mirëkuptimin e thellë të trendeve rajonale dhe duhet të drejtohen në partneritet  “eksluziv” jo me vendet e zgjedhura, por me të gjitha vendet në rajon. Cdo herë e më të komplikuara cështjet e politikës së jashtme shtojne mundësinë e krijimit të aleancave të situatës në rajon midis Rusisë, Kinës, BE, ShBA, Turqisë dhe akterëve tjerë. “Në situatën e tashme nga më shumë vektorë, ndikimi historik i Rusisë mund të zëvendësohet me ndikimin e fuqive tjera të jashtme.  Por Rusia mund të jetë palë me të cilën partneriteti për shumë kë të jetë më i dëshiruar. Por krijimi i këtyre parakushteve kërkon më shumë përkushtim në përpjekjet e diplomacisë ruse në Evropën Juglindore”, tha ai.

 Vuçiçit nuk po i djeg vetëm nën këmbë për shkak të qëndrimit këmbëngulës rusë ku qartë kërkojnë ripërcaktimin (lindje apo perëndim) por ka kthyer kundër vetes edhe ata në perëndim të cilët një vit më parë kanë heshtur ndaj të gjitha qëndrimeve në kundërshtim me politikën e jashtme evropiane. Këto ditë derisa çmenduria e Vuçiçit po punon me kapacitet të plotë, ai ka lutur zyrtarët e partisë së tij, të cilët në shumicë janë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, që ti ipet edhe pak kohë për marrjen e një vendimi përfundimtarë.  Ai ka thënë se vendimin do ta merrë pas bisedës me presidentin rusë Putin, presidentin kinez Si Xhinpin, kancelaren Merkel dhe presidentin francez Makron. Pra nëse nuk i konvenon ndonjë propozim ai do të vendos ta shtyjë bisedimet përmes zgjedhjeve. Veq kësaj merret vesh se ai ka ndërmend që nëse Kosova nuk heq taksat atëher të ngrijë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel. Përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë pse të nxiten në bisedime, pasi tashmë cështjen e Serbisë duhet parë në relacion me vendet e jashtme. Ajo definitivisht duhet të përcaktohet se për cilën anë është. BE për të hequr çdo dilemë duhet ta kushtëzojë integrimin e  Serbisë me harmonizimin e politikës së së të jashtme me atë të BE-së. Vetëm kështu do të lëvizet përpara me arritjen e një marrëveshje finale. /I.K./

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here