S’ka tekste shkollore falas për dy klasë këtë vit

0
39

Tekstet shkollore për klasat tetë dhe nëntë sivjet nuk do të shpërndahen falas nga Ministria e Arsimit.

Sipas zyrtarëve të MASHT-it, në bazë të udhëzimit administrativ, këto klasë e kanë për obligim të ruajnë librat dhe t’i kthejnë ato në shkollë, ku më pas shkolla i shpërndanë për gjeneratën që vjen. Por, drejtues të disa shkollave thonë që nuk kanë qenë të njoftuar se duhet t’i sigurojnë librat e vjetër për t’i shpërndarë këtë vit. Ndërkohë, nxënësit tani duhet t’i sigurojnë vetë këto libra.

Nxënësit e klasave tetë dhe nëntë, nuk mund të kenë libra të rinj në këtë vit shkollor, pasi Ministria e Arsimit nuk i ka shpërndarë ato. Ata duhet t’i sigurojnë nga shokët e gjeneratës paraprake ose t’i blejnë në librari. Kështu thonë nxënëset Stina dhe Ola nga Shkolla “Ismail Qemali”, në Prishtinë, të cilave u është thënë se shkolla nuk i ka siguruar librat nga viti i kaluar.

Shumë mësimdhënës dhe drejtues shkollash, thanë jashtë mikrofonit të Radios, se nuk janë njoftuar me kohë që duhet t’i sigurojnë librat e përdorur nga viti i kaluar. Tashmë disa shkolla nuk kanë libra të klasës së tetë dhe nëntë, kështu që nxënësit duhet të interesohen për t’i siguruar vetë ato. Drejtorja e Shkollës “Faik Konica”, Gjylie Balaj, ka thënë për RTK-në se po bashkëpunojnë me shkollat e tjera për të plotësuar me libra njëra-tjetrën.

Ndërkohë, drejtori i departamentit për arsimin parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, tha për Radio Kosovën se në bazë të udhëzimit administrativ, klasat tetë dhe të nëntë e kanë për obligim t’i ruajnë librat dhe t’i kthejnë ato në shkollë, ku më pas shkolla i shpërndanë për gjeneratën që vjen.

Istogu, tha se qëllimi i ruajtjes së teksteve të klasave tetë dhe nëntë, ishte edhe për shkak të kursimit të buxhetit. Ndërkohë, sivjet janë shpërndarë tekstet e reja të cilat janë hartuar për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here