Të Vdekur: 185 Pacolli: Ideja për një Qeveri me bazë të gjerë u keqkuptua dhe keqpërdor

0
16

Kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se ideja e tij për një Qeveri me bazë të gjerë është keqkuptuar pjesërisht, dhe madje ëdhe është keqpërdorur.

Sipas Pacollit, argumenti i tij lidhet me përgatitjet e Serbisë për ta vendosur Kosovën në arenën ndërkombëtare në një situatë të palakmueshme diplomatike.

“Serbia pretendon se do të ofrojë një zgjidhje të guximshme, të përhershme dhe paqësore për çështjen e Kosovës. Për këtë arsye, ajo po përgatit një platformë e cila do të dialogohet e debatohet në shoqërinë dhe institucionet serbe, si sqaroi para do kohësh Presidenti serb Vuçiq në një shkrim autorial të tij në Blic”.

Më poshtë mund ta lexoni sqarimin e plotë të tij në Facebook:

Oferta e Vuçiqit dhe qeveria me bazë të gjerë

Ose të fitojmë me paqe, ato që ende nuk fituam me luftë

Ideja ime për një qeveri me bazë të gjerë u keqkuptua pjesërisht, dhe madje dhe u keqpërdor.
Ky është fati i ideve të reja, kur do njerëz arsyetojnë me sy të mbyllur rreth të resë. Si pasojë, është një nga ato idetë që meriton sqarime të vazhdueshme. Prandaj sot dua të shtjelloj detalisht një argument tjetër, pse ajo është zgjidhje e domosdoshme.
Argumenti im lidhet me përgatitjet e Serbisë për të na vendosur në arenën ndërkombëtare në një situatë të palakmueshme diplomatike. Serbia pretendon se do të ofrojë një zgjidhje të guximshme, të përhershme dhe paqësore për çështjen e Kosovës. Për këtë arsye, ajo po përgatit një platformë e cila do të dialogohet e debatohet në shoqërinë dhe institucionet serbe, si sqaroi para do kohësh Presidenti serb Vuçiq në një shkrim autorial të tij në Blic. Pikëpyetja, argumenti im është: po ne, si po përgatitemi përballë këtij veprimi serb?

A kemi ne një platformë qëndrimesh ?

Cili do të jetë përballë presidentit serb dhe shtetit serb ? Thjesht Presidenti i Kosovës ?

Një parti, qeveria e një partie apo një blloku, një individ apo një institucion politik ? Apo dikush që është shprehje e gjithë ndjeshmërive politike të Kosovës ?

Por le të kuptojmë qëndrimin serb, për të vendosur më pas, se cila do të ishte zgjidhja më e mirë e jona.

Qëndrimi serb

Është krejt e qartë tashmë se Serbia është para një hapi të madh në lidhje me Kosovën. Këtë e ka bërë të qartë Presidenti Vuçiç dhe po vijojnë ta bëjnë në mënyrë të sinkronizuar dhe zëra të tjerë, madje dhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Serbisë !!! Vuçiq kërkon dialog të brendshëm disa mujor me synim miratimin e një platforme për një zgjidhje të përhershme të çështjes së Kosovës me bisedime dhe jo me luftë. Një akademik tjetër tha se « ne nuk kemi më fëmijë për t’ja kushtuar një lufte tjetër për Kosovën. » Si e kanë vënë re shumë vëzhgues autoritarë, ky hap serb nënkupton lëshime të mëdha.
1) Qoftë heqjen e Kosovës nga Preambula e Kushtetutës së Serbisë dhe përshkrimin e interesave shtetërore serbe në Kosovë në një dokument kushtetues.
2) Qoftë dhe heqjen e vetos për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare, përfshi OKB. Duke mos e « njohur » Kosovën drejtpërdrejt, ose duke e njohur. Por kjo ka pak rëndësi.

Nuk është sekret ta thuash-Vuçiq e pranonte thuajse hapur-, se këmbëngulja e deritanishme serbe në një konflikt të cilit nuk i dihet kuptimi, i ka krijuar Serbisë kosto të lartë ndërkombëtare. Serbia ka bllokim të anëtarësimit në Bashkimin Europian ; Serbia lufton me mullinjtë e erës për të penguar kudo në botë procesin e njohjeve të shtetit tonë; Serbia lufton në çdo organizëm ndërkombëtar për të ndaluar anëtarësimin tonë, imazhi i saj në perëndim është i ulët përgjithësisht dhe kjo është kosto e madhe.

Në vend të kësaj sjelljeje, Serbisë i intereson e kundërta : nëse në marrëdhëniet ndërkombëtare ajo tregon qasje konstruktive ndaj Kosovës ( barra më e rëndë për të) , BE i hap dyert Serbisë para Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjës. Mbështetja ndërkombëtare për të do rritet, financiarisht, por jo vetëm. Dhe disa shenja janë dhënë në këtë drejtim. Kjo që po propozohet nuk është diçka që po gatuhet sot, por më herët.
Ky qëndrim serb është imponim i bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe i Gjermanisë në veçanti. Hapja e kapitullit 35 në negociatat e Serbisë me Bashkimin Europian nënkupton zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës : asnjë telash me vendet fqinje dhe më konkretisht me Kosovën. Këtë qasje në fakt Serbia e ka imponim prej dokumentave ndërkombëtare që vetë i ka votuar apo miratuar. Qoftë Rezoluta që miratoi Asambleja e Përgjithshme pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, qoftë marrëveshja e Brukselit, e detyronte « heqjen e pengesave të seicilës palë në dëm të tjetrës, për integrimin ndërkombëtar të tyre.. » Por Serbia mori kohë, 6 vjet për të arritur ku po don të shkojë sot.

Çfarë do të kërkonte Serbia në këmbim të lëshimeve ? Në këmbim të këtyre lëshimeve, Serbia është tërësisht e vendosur ta dobësojë Kosovën në çdo formë. Pra të jep me një dorë diçka dhe don ta marrë atë me një dorë tjetër. Sepse dihet se Serbia ka interes për një Kosovë të dobët, për një qeveri të dobët të saj, për një ekonomi të varur prej saj, për një klasë politike të varur prej saj.
Serbia e zhvendosi dialogun në nivel presidenti (Vuçiq u bë president nga kryeministër, duke kontrolluar dhe qeverinë) pikërisht për t’ju përgjigjur kësaj situate që kërkonte forcë në krye të saj. Po kërkon dialog në shoqëri dhe institucione, për të legjitimuar lëshimet eventuale. Po ne çfarë do të bëjmë ?

Është e pakuptimtë heshtja, mosmbajtja qëndrim prej disa forcave politike që aspirojnë pushtetin në Kosovë përballë këtij zhvillimi të rëndësishëm.
Serbia tani thotë se do ta përkufizojë interesin shtetëror në Kosovë. Po në cilët kufij të këtij përkufizimi ? Pazari që ajo do të kërkojë, do të jetë shumë i lartë, nëse ne nuk dimë t’i përgjigjemi. Në këto kushte, topi është tek ne. Është Serbia që ka marrë inisiativën. Kjo inisiativë asaj do t’i krijojë mbështetje të madhe ndërkombëtare.
Pikëpyetja është sesi do të reagojmë ne që të mos e humbim mbështetjen ndërkombëtare :
a do të jemi mjaftueshëm të mençur dhe mjaftueshëm të bashkuar, pra të fortë që ndërsa fitojmë diçka, të mos humbim akoma më shumë ?

PRPOPOZIMET E MIA

Unë propozoj këto hapa.

1) Krijimi i një ekipi konsensual të Unitetit për negociatat. Sot janë pjekur kushtet që Kosova të krijojë një ekip të ri negociator, i cili brenda vendit të diskutojë për seicilën prej temave që duhen hedhur në tavolinë. Ky ekip i gjithë forcave politike, i botës akademike, të përcaktojë listën e temave që duhen diskutuar me Serbinë.

2) Ky ekip të asistohet nga këshilltarë ndërkombëtarë të profilit të lartë, mundësisht amerikanë dhe të fuqive të mëdha vendimarrëse. Ata duhet të kenë ndikim në administratat e vendeve nga vinë.

3) Të propozohet për negociatat një formulë specifike: grumbullim i ekipeve të ekspertëve të dy palëve në një vend të caktuar, dhe pastaj përmbyllje e temave me praninë e udhëheqësve të nivelit të lartë. Në kushtet kur bëhet fjalë për një Marrëveshje të madhe, është afërmendsh se nuk ka më kuptim që procesi i negociatave me Serbinë të zhagitet në kaq shumë vite. Marrëveshja sigurisht nuk do të quhet Traktat Paqeje, por do duhet të miratohet nga Parlamentet e të dy palëve.

4) të kemi një pjesë të veçantë të platformës sonë për zgjidhjet ekonomike : Trustin Pensional, Fondin e privatizimit, etj, në të cilat Serbia kurrë nuk do të ketë hise.

5) e në këto kushte, më thoni nëse mundet që një proces i tillë historik të përballohet me një qeveri pakice, apo me një qeveri ku serbët bëjnë ligjin ? Prandaj duhet një qeveri me bazë të gjerë, që nuk do të thotë domosdoshmërisht me të gjithë partitë brenda. Por me konsensus maksimal.
Që herët, që në 2007-ën, kur unë kam folur për rëndësinë e bisedimeve, unë e kam ditur ku do shkohej. Kush sheh larg, ku nuk shohin të tjerët, mund të quhet i parakohshëm, por vizionar ama. Unë e kisha vizionin ta kuptoja si do përmbyllej procesi që nisi me luftën tonë, me sakrificat tona dhe mbështetjen e Perëndimit. Ajo që i ndodhi Kosovës me Serbinë, mjerisht ka patur precedentë të përgjakshëm në botë. Thjesht kam thënë të shohim çfarë ka ndodhur kudo në raste të tilla :
Ne nuk mund të bëheshim anëtarë të OKB-së, pa votën pro të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Kjo nuk mund të ndodhte pa një proces normalizimi, proces bisedimesh si ky që po propozohet tani nga Serbia : por në diplomaci nuk ka vetëm dy ngjyra : e bardha dhe e zeza, si janë parë gjithmonë propozimet e mia nga dikush në Kosovë. E në një proces si ky, ne duhet të jemi të fortë, të dijshëm dhe vizionarë. TË fitojmë me paqe, ato që nuk fituam dot me luftë : anëtarësimin në OKB dhe jetën tonë plotësisht të lirë dhe të pavarur nga Serbia, në paqe me të gjithë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here