Telekomi vazhdon t’i shlyejë borxhet, ATK rrit të hyrat 47.4 milionë euro

0
71

Në kuadër të borxhlinjve më të mëdhenj ndaj shtetit është edhe Telekomi i Kosovës, por pavarësisht vështirësive financiare, kompania publike po vazhdon ta realizojë marrëveshjen e arritur muaj më parë me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për shlyerjen e borxheve.

Për këtë drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj tha se Telekomi është duke zbatuar marrëveshjen e arritur me ATK pas mbylljes së llogarive bankare për shlyerjen e borxheve.

Madje, drejtori i ATK-së lavdërohet se në vitin 2019 trajtimi i borxheve ka ndikuar që të inkasohen 108. 1 milionë euro, ndërsa borxhet ndaj këtij institucioni financiar janë edhe 354.3 milionë euro.

Murtezaj gjatë shpalosjes së raportit të punës për 2019, tha se ky vit për ATK ka qenë me shumë sfida, por edhe me arritje të mëdha, ku të hyrat vjetore nga tatimet ishin 504.5 milionë euro ose 47.4 milionë më shumë se vitin paraprak.

“Kjo shifër do të ishte shumë më e lartë po që se nuk do të ishin disa faktorë ndikues të cilat kanë qenë jashtë kompetencave të ATK-së, siç është mos ekzekutimi i investimeve kapitale në vlerë mbi 300 milionë euro, që do të rezultonin rreth 20 milionë euro të hyra më tepër. Gjithashtu një faktor tjetër që ka ndikuar në të hyrë është edhe shfuqizimi i ligjit për lojëra të fatit. Ligj ky i cili ka rezultuar që ATK të mos pres të hyra nga bizneset, të cilat zhvillojnë aktivitetin e lojërave të fatit, në shumë mbi 1 milion euro”, tha Murtezaj.

Drejtori Murtezaj garantoi se ATK ka shtrirje të plotë në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e Mitrovicës për ushtrimin e aktivitetit në përputhje me objektivat e përcaktuara.

“Sikurse edhe nëpër enklavat tjera serbe në brendi të Kosovës, por edhe në pjesën veriore zyrtarë tatimor vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në përputhje me objektivat e përcaktuara nga plani vjetor i punës. Bizneset të cilat afarojnë në pjesën veriore janë pjesë e sistemit tatimor dhe vazhdojnë të paguajnë detyrimet tatimore. Njëri ndër tatim paguesit me kontributin më të madh në regjionin e Mitrovicës i takon pjesës së veriut”, tha Murtezaj.

Ndërsa, zëvendës ministri në detyrë i Financave në detyrë, Fatmir Gashi, tha se është i kënaqur me të arriturat e ATK-së për vitin 2019, i cili shtoi se në vazhdimësi ka edhe rënie të informalitetit falë punës së ATK.

Gashi tha po ashtu se falë punës së ATK-së ka arritur të ulet borxhi publik, ndërsa shtoi se nuk do të ketë më ligj për faljen e borxheve e as TVSH-së.

“ATK ka arritur që në vitin 2019 të mbledhë edhe tatime dhe kontribute pensionale rreth 700 milionë euro, 504 milionë tatime të brendshme dhe 190 milionë euro kontribute, që është një rezultat i shkëlqyeshëm i kësaj Administrate. Kërkesa kryesore prej Ministrisë së Financave ka qenë që ATK të zvogëlojë stokun e borxhit dhe ka arritur të tejkalojë atë kërkesë tonën. Ne kemi kërkuar që mbledhja e borxhit të jetë 27 milionë sipas buxhetit, kurse ATK ka mbledh mbi 33 milionë borxhe të vjetra. Kjo do të thotë se kemi filluar t’i krijojmë një barazi te bizneset, s’e dikush paguaj e dikush mos paguaj, nuk do të ndodhë më. Andaj, pritja e tatim-paguesve që do të bëhet një ligj për faljen e borxheve duhet ta harrojnë dhe falje të borxheve nuk do të ketë më e sidomos jo faljes së TVSH-së”, tha Gashi.

ATK vitin që lamë pas ka ndërmarrë 176 aktivitete për shmangie tatimore, 37 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore, ndërsa 5.3 milionë euro është vlera e shmangies tatimore.

Plani afatmesëm i reformës 2019-2021 është luftimi i evazionit fiskal në sektorin e ndërtimtarisë, identifikimi i bizneseve ndërtimore që nuk përmbushin obligimet tatimore dhe kontrolli i përgjithshëm në sektorin e ndërtimtarisë.

Po ashtu ATK gjatë vitit 2019 ka aprovuar 626 kërkesa të bizneseve për lirim nga TVSH, ndërsa për shkak të mos përmbushjes së kërkesave ka refuzuar 32 sosh.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here