Vetura në të cilën ishte sulmuar Ibrahim Rugova të ruhet në muze, propozon Vjosa Osmani

0
29

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka propozuar që vetura, në të cilën ndodhej ish-presidenti Ibrahim Rugova kur ishte sulmuar në vitin 2005 në rrugën “Agim Ramadani”, të ruhet në muze.

Në një postim në Facebook, një ditë para “Ditës së Presidentit”, Osmani ka thënë se vetura në të cilën ishte sulmuar Rugova “është dëshmi se duhet të ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive”.

“Në prag të 24 Majit, Ditës së Presidentit, e inicuar si ditë presidenti nga vetë dr. Ibrahim Rugova, e kujtuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës, ideatorin e shtetësisë së saj, njeriun e butë por këmbëngulës në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë. U përkulëm para varrit të Presidentit historik, me kujtesën e freskët për njeriun, i cili na mësoi se këmbëngultësia në parime, sado e vështirë, është rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën për shtet që i bën të dinjitetshëm qytetarët e vet dhe ua garanton atyre liritë qytetare; se ëndrra për t’i shërbyer me dinjitet vendit është më e madhe se moskuptimi, sharjet e sulmet nga ata që s’mund ta kuptojnë vizionin tuaj, madje edhe kur sulmoheni me bomba, sikur i ndodhi presidentit tonë, 16 vjet më parë. Sot, vetura në të cilën ndodhej presidenti Rugova atë ditë, së bashku me veturat e tjera të eskortës së tij, gjinden në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në mëshirë të fatit. Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje. Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës. Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat”, ka shkruar ajo në Facebook.

Osmani ka propozuar që vetura të jetë në Muzeun Kombëtar, ose në atë të Pavarësisë, “sepse, sikur e gjithë veprimtaria e dr. Rugovës, ajo është dëshmi se vizioni për shtetin e pavarur, i prirë nga dashuria për vendin, është i pathyeshëm; se këmbëngulja për ta ndërtuar vendin është më e madhe se cilado pengesë dhe se kujtesa për lëvizjen për pavarësi është kujtesë për qenien tonë”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here