VV e LDK, më larg se kurrë nga arritja e marrëveshjes

0
280

Edhe pas më shumë se tre muaj prej kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale, vendi nuk e ka të formuar Qeverinë e re.

Kjo sepse partia fituese e zgjedhjeve  Vetëvendosje dhe partia që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po mund të merren vesh rreth ndarjes së posteve.

Njohës të çështjeve politike në vend po konsiderojnë se dy partitë të cilat po synojnë të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje, tani janë më larg se asnjëherë më parë drejt nënshkrimit.

Këtë e thonë bazuar në veprimet dhe deklaratat e zyrtarëve të dy partive bërë ditët e fundit, që sipas tyre, kanë filluar të fajësojnë njëra tjetrën për ngecje në këtë proces.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri thotë se tani më nuk ka raporte të sinqerta në mes të dy partive.

Gjithashtu ai përmend edhe grupime të brendshme në parti që mund të ndikojnë në mendimin politik.

“Po duket sikur fushata zgjedhore ose parazgjedhorë po vazhdon, mirëpo tani vetëm ndërmjet dy akterëve, Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa partitë e tjera kanë mbetur të heshtura, ani që edhe partitë e tjera e kanë mandatin e popullit dhe i kanë vendet e deputetëve dhe kanë po aq rëndësi sa edhe këto dy parti që kanë dalë e para dhe e dyta. Bisedimet ndërmjet VV dhe LDK që po zhvillohen tash e disa muaj nuk po japin rezultat sa i përket ndarjes së pushtetit ose pozitave kushtetore. Dhe tash, kanë nisë të komunikojnë edhe me letra por edhe publikisht t’i qojnë porosi njëra tjetrës dhe të kërkojnë animimin e opinionit”, thotë Tahiri.

Sipas tij  këto ditë pritet të jenë përfundimtare rreth çështjes së arritjes të një marrëveshje të mundshme në mes të dy partive.

Dhe sipas tij, të dy partitë e kanë obligim që bashkërisht t’u  drejtohen qytetarëve përmes konferencës për media, lidhur me çfarëdo vendimi që do të marrin.

“Për me u marrë vesh për një ministër më shumë ose një ministër më pak, përnjëmend nuk ia vlen që të torturohen qytetarët dhe që të zhagitet kaq shumë procesi i Kosovës. Sepse, edhe nëse arrijnë me ba marrëveshje këto ditë, të gjitha këto vonesa do të shprehen si pasoja në qeverisjen e tyre në rend të parë, e mandej në jetën e qytetarëve dhe pakënaqësitë e qytetarëve me reformimin e ngadalshëm të jetës , shoqërisë, por edhe me mos zhvillimin ekonomik sepse këto ngecje shprehen në politikat zhvillimore”, thotë Tahiri.

Ndërkohë Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu”, duke përmendur deklarimet e zyrtarëve të dy partive ditët e fundit, në emisione televizive, që sipas tij tash kanë nisur edhe të tregojnë detaje nga brendia e takimeve që kanë pasur, thotë se marrëveshja është më larg se asnjëherë më parë.

“Në një mënyrë jam bindur që një marrëveshje e tillë partneriteti në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së unë e shoh të pamundshme, pikërisht për shkak të asaj çka ndodhi mbrëmë. Vazhdimisht nuk kemi parë tendencat asnjë prej këtyre individëve që me relativizu situatën dhe me shku drejt arritjes së një marrëveshje potenciale,  por qëndrimet e tyre kanë që në atë drejtim sa që vetëm u mundojshin njëri tjetrin me lënë fajtor se nuk po bëhet marrëveshja e nuk u mundojshin me gjet zgjidhje si me shku deri te marrëveshja. Kështu që e shoh të pamundur që një marrëveshje mund të ndodh në mes VV dhe LDK sidomos duke u bazuar në deklaratat që mbrëmë kanë ndalë nga të gjithë akterët e këtyre dy subjekteve politike”, thotë Demhasaj.

Ndërsa sipas Bekim Kabashit, i cili përcjell zhvillimet politike në vend, Lëvizja Vetëvendosje po bën veprime të cilat nuk e përafrojnë me LDK-në, ndërkohë që e njëjta e ka obligim, si fituese e zgjedhjeve që të gjejë mundësinë deri të marrëveshja me LDK-në.

“Nëse kthehemi në retrospektivë, dhe marrim deklaratën e zotit Kurti të para disa javësh ku thotë se do të na duhen vetëm 72 orë për t’i  ndarë postet për ta bërë marrëveshjen e koalicionit, pra ishte një deklaratë shumë optimiste, ndërsa tani të dy palët shihen të jenë shumë pesimist nëse mund të arrijnë marrëveshje. Pra janë larguar aq tepër sa që është një raport shumë më i ndarë sesa para zgjedhjeve kur partitë konkurronin,  ndoshta edhe më  i ndarë se sa në fushatën elektorale kur LDK dhe Vetëvendosje vepronin ndaras për të arritur të marrin sa më shumë vota që t’i fitojnë ato zgjedhje”, thotë Kabashi.

Ai thotë se LDK nuk duhet  të shihet si egoiste sa i përket posteve por Vetëvendosjes i takon që ta bind LDK-në ose t’i ofrojë LDK-së aq sa të dy palët  të arrijnë ta bëjnë një koalicion i cili, siç thotë ai, është përcaktuar edhe nga votuesit.

Dje Vetëvendosje përmes një zarfi ka refuzuar propozimin e LDK-së që t’ia kthejnë kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e presidentit nga LDK-ja dhe ndarjen e ministrive 5 me 5.

Më pas kreu i LDK-së Isa Mustafa, në një konferencë shtypi, ka deklaruar  se këtë letër nuk e konsideron zyrtare.

Dy partitë tashmë i  kanë bërë ofertat e fundit njëra-tjetrës, ndërkohë situata është bllokuar dhe nuk ka asnjë deklarim për pranim apo refuzim të ofertave.

Nga ana tjetër presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar lëvizje në rast se situata vazhdon të mbetet e bllokuar, derisa nga VV-ja kanë thënë se do ta dërgojnë emrin e mandatarit pa vonesa.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here